Sot, më 09. nëntor 2019, në vazhdën e aktiviteteve të organizuara në kuadër të 800-vjetorit të pranisë së françeskanëve mes Shqiptarëve është mbajtur një konferencë shkencore në ambientet e teatrit “Illyricum” në Shkodër. Konferenca filloi në orën 09:30 dhe ishte e përbërë nga dy seanca, ndërmjet të cilave ishte një pushim i shkurtër. Në këtë konferencë u paraqitën disa kumtesa studimore të përgatitura nga profesorë dhe studiues të censhëm, të cilët paraqitën kontributin që kanë dhënë françeskanët në fusha të ndryshme të jetës gjatë këtyre tetë shekujve. Konferenca filloi me himnin “Porsi fleta e ejllit t’Zotit” përgatitur nga disa anëtarë të Shoqnisë “Illyricum” nën dirigjimin e prof. Lukë Mllugja.
I pranishëm në këtë konferencë ishte mons. Ottavio Vitale, ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës, fra Aleksandër Tanushi, guardiani i kuvendit të Shën Françeskut, dom Nikolin Toma, vikari i Arkidioqezës Shkodër-Pult, fretërit françeskanë bashkë me novicët dhe studentët, si dhe rregulltarë, rregulltare e dashamirë të shumtë të traditës kulturore françeskane. Moderatorë të konferencës ishin Kujtim M. Shala dhe Arben Prendi.
Seanca I
Konferencën e çeli fra Mirash Marinaj, zëvendës provincial i Provincës françeskane shqiptare. Në përshëndetjen e tij ai foli mbi ndihmën që kanë dhënë etërit françeskanë në heqjen e varfërisë kulturore në vendin tonë. Pastaj ligjëroi fra Vitor Demaj, presidenti i Komisionit për kulturën i Provincës françeskane shqiptare, i cili është iniciatori i gjithë kësaj konference shkencore. Ai trajtoi temën “Kremtimi jubilar i 800-vjetorit të bijëve të shën Françeskut në Shqipëri”. Më pas vazhdoi prof. Kujtim M. Shala (Universiteti i Prishtinës) me “Fretënt e mëdhaj (shkolla letrare)”, prof. as. dr. Aljula Jubani (Universiteti i Tiranës) me “Át Marjan Prelaj, frati që i shërbeu historisë përmes dokumentimit të së vërtetës”, prof. as. dr. Vinçens Marku (Universiteti i Shkodrës - L. Gurakuqi) me “Mbamendjet e mia të Át Pierbattista Grumelli”, prof. Evalda Paci (Akademia e studimeve albanologjike Tiranë) me “Jeta dhe bëmat e Gjergj Kastriotit në studimet e etërve françeskanë shqiptarë” dhe prof. as. dr. Ledri Kurti (Universiteti i Shkodrës L. Gurakuqi) me “Një udhë përmes ravgimeve drejt dijës së një kombi”. Ndërsa prof. Nebi Bardhoshi (drejtor i studimeve albanologjike Tiranë) për arsye pune nuk qe i pranishëm. Temën e tij “Etnografia juridike e Át Shtjefën Gjeçovit”, do ta sjellë për botim te Hylli i Dritës.
Seanca II
Seanca e dytë u hap nga prof. Gëzim Hoxha (Universiteti i Tiranës) me “Dëshmi arkeologjike mesjetare mbi praninë françeskane në Kishën e Draçit në Ishëm”. Prof. Gëzim Hoxha në bashkëpunim me fra Sergio Gazzea (i cili nuk ishte i pranishëm) kishin përgatitur një punim të veçantë me pamje vizuale në të cilin tregohej e tërë puna kërkimore në kishën e Draçit në Ishëm. Më pas vazhdoi prof. as. dr. Mimoza Priku (Universiteti i Shkodrës - L. Gurakuqi) me “Hylli i Dritës në fokusin e albanologëve italianë”. Pastaj vijuan prof. Anisa Kosteri dhe prof. Zamira Shkreli (Universiteti i Shkodrës - L. Gurakuqi) me: “Át Benedikt Dema, mbledhësi dhe hulumtuesi i fjalës shqipe”, prof. Edmond Malaj (Akademia e studimeve albanologjike Tiranë) me “Françeskanët në Shkodër e rrethina gjatë mesjetës dhe shekujve të parë të pushtimit osman”. Prof. Bora Logu e prof. Anisa Kosteri (Universiteti i Shkodrës - L. Gurakuqi) me “Kontributi i Át Justin Rrotës në fushën e sintaksës shqipe”. Më tej prof. as. dr. Arben Prendi me “Memoristika e Át Zef Pllumit”.
Të gjitha kumtesat do të botohen në numrin e veçantë që Hylli i Dritës i kushton 800-vjetorit të Urdhrit françeskan në Shqipëri.
Gjatë konferencës u promovuan pesë botime të reja, nga të cilët katër botime u botuan për herë të parë, ndërsa “Provinca Françeskane Shiptare” e Át Donat Kurtit u ribotua me disa përmirësime. Botimet e reja janë: “Mbamendjet e mia” nga Át Pierbattista Gumelli, “Shqypnia Serafike” dhe “Misioni Shetitës i Françeskajvet nëpër Shqypní gjatë shtatë shekujvet prej vjetit 1240 deri në vjetin 1967” nga Át Marjan Prelaj dhe “Letra dhe relacione nga misionarët françeskanë ndër shqiptarë”. Botimet e reja sjellin tek lexuesi historinë e misionit françeskan ndër shqiptarë. Këto botime janë kontribute të vyera për historinë tonë kombëtare.
Teksti: Fra Lorenc Pepniku
Fotot: Nenshati - Shkodër