Më datën 11 gusht 2019, ishte festa e shën Kjarës ku këtë ditë përkujtohet kalimi i shën Kjarës në amshim. Shën Kjara është themeluesja e motrave Klarise dhe bashkëpunëtore me shën Françeskun e Asizit në ndjekjen e Krishtit.
Për këtë festë të madhe u zhvillua një treditësh përgatitje, ku gjatë datave 8, 9, dhe 10 gusht 2019 në kishën e Klariseve në Shkodër u zhvillua mbrëmësorja në nder të shën Kjarës.
Më datën 8 gusht Mbrëmësoren e udhëhoqi guardiani i kuvendit të Shën Françeskut në Gjuhadol fra Aleksandër Tanushi OFM. Më datën 9 gusht Mbrëmësoren e udhëhoqi fra Prelë Syla, OFMCap Guardiani i Kuvendit të Marisë Magdalenë në Tarabosh.
Me datën 10 gusht u përkujtua “Kalimi i Shën Kjarës”. Këtë moment lutjeje e udhëhoqi Nunci apostolik për Shqipërinë mons. Charles John Brown kurse predikimin e bëri provinciali i Provincës françeskane në Shqipëri dhe Mal të Zi fra Aurel Gjerkaj OFM.
Më datën 11 gusht 2019 ishte festa e shën Kjarës ku në kishën e motrave klarise në Shkodër në orën 19:00 ishte Mesha e shenjtë të cilën e kremtoi imzot Angelo Massafra (arqipeshkëv i dioqezës Shkodër-Pult), bashkë kremtues ishte fra Aurel Gjerkaj, provincial i Provincës françeskanë në Shqipëri dhe Mal të Zi, të pranishëm ishin edhe shumë meshtarë të tjerë të dioqezës së Shkodrës dhe të vendeve të tjera.
Shumë besimtarë erdhën nga famullitë e Shkodrës dhe nga famullitë e tjera përreth duke e bërë edhe më të bukur festën e shën Kjarës.
Fra Tomë Bushpreni