Viti 2019 për Urdhrin françeskan është jubile i veçantë pasi që ky vit na përkujton takimin e shën Françeskut me sulltanin al-Malik al-Kāmil në Damietta të Egjiptit. E në kthim nga Egjipti, legjenda thotë se shën Françesku kaloi edhe nëpër tokën shqiptare. Prandaj ky vit ashtu siç është jubile i veçantë për gjithë familjen françeskane, edhe më i veçantë është për Provincën Françeskane Shqiptare, pasi që është 800 vjetori i prezencës françeskane në trojet shqiptare.
Prandaj këtë vit festa e shën Françeskut si në Vigjilje ashtu edhe në ditën e festës u kremtua solemnisht në “Kishën e shën Françeskut” në Gjuhadol në Shkodër ku e pranishme ishte gjithë familja françeskane, nga Arqipeshkvia Shkodër - Pult dhe Ipeshkvia e Sapës, por që nuk munguan as shumë besimtar të tjerë të cilët gjithmonë janë afër fretërve.
Të enjten, më 3 tetor, në Vigjilje, ritin e përkujtimit të kalimit në jetën e amshuar të shën Françeskut e drejtoi arqipeshkvi i Arqipeshkvisë Shkodër - Pult, mons. Angelo Massafra OFM, i cili foli për jetën e shën Françeskut dhe dashurinë që ky shenjtë kishte ndaj gjitha krijesave. Ajo që ndoshta pak edhe ndryshoj programin festiv të kësaj nate ishte mos realizimi i procesioni me truporen e shën Françeskut për të Manastiri i motrave klarisa për shkak të kohës me shi, prandaj gjithë riti i kësaj nate u kremtua në kishën e shën Françeskut. Pas ndarjes së bekimit solemn nga arqipeshkvi, u bë edhe ndarja e bukës si simbol i familjes françeskane.
Të premten, më 4 tetor, në të kremten e festës u kremtuan tri meshë në “Kishën e shën Françeskut” në Gjuhadol. Mesha e mëngjesit u drejtua nga provinciali i Provincës Françeskane Shqiptare, fra Aurel Gjerkaj, kurse në ora 9:00 guardiani i Kuvendit françeskan në Gjuhadol, fra Aleksandër Tanushi, drejtoi meshën me nxënësit e shkollës “Zemra e Krishtit”, ku numri i tyre ishte mbi 500 nxënës.
Në praninë e shumë meshtarëve, rregulltareve dhe rregulltarëve, si dhe në praninë e madhe të besimtarëve, mesha solemne e shën Françeskut që njëherë ishte edhe mesha e jubileut të 800 vjetorit të prezencës françeskane në Shqipëri, u kremtua në ora 17:00 të cilën e drejtoi Nunci apostolik në Shqipëri mons. Charles John Brown, kurse predikimin në këtë meshë e mbajti ipeshkvi i Rrëshenit, mons. Gjergj Meta, i cili përveç jetës së shën Françeskut foli edhe për jetën françeskane në Shqipëri gjatë këtyre 800 viteve. Si në fillim ashtu edhe në fund të meshës nuk munguan përshëndetje nga provinciali fra Aurel Gjerkaj dhe guardiani fra Aleksandër Tanushi.
Pas kremtimit të meshës “Shoqnia Illyricum”, miq të shën Françeskut që vepron në kuadër të Provincës Françeskane Shqiptare, shfaqën programin “800 vjet françeskanizem n’Shqypni” program që paraqiti në formë poetike rrugëtimin françeskan gjatë 800 viteve nëpër Shqipëri.
Si në Vigjiljen e festës që ishte përkujtimi i kalimit të shën Françeskut ashtu edhe mesha solemne e drejtuar nga Nunci apostolik dhe programi i Shoqnisë Illyricum u transmetuan drejtpërdrejtë në televizionin lokal, TV Rozafa.
Kremtimi i këtij jubileu përfundoi me darkën e përbashkët për gjithë meshtarët, rregulltaret e rregulltarët si dhe për gjithë besimtarët në oborrin e Kuvendit françeskan në Gjuhadol.