Emigrantët

Të dielën më 17.03.2019 në ora 18:00 në Teatrin ILLYRICUM - Gjuhadol në Shkodër që është pjesë e Provincës Françeskane Shqiptare, nën regjinë e Nikolin Ferketa u shfaq "Emigrantët" të autorit Sławomir Mrożek. Kjo shfaqje flet për ekzistencën dhe vështirësitë e emigrantëve që jetojnë në vende të ndryshme.

 

Regjisori Ferketa te e pa gjendjen aktuale në popullin tonë ku dihet se një e treta janë emigrantë të shpërndarë nëpër botë, dhe si çështje mjaft e ndjeshme dhe një fat i dhembshëm për të mos thënë tragjik i popullit tonë sjelli veprën tragjikomedi të autorit polak që është një ndër figurat më të rëndësishme të dramaturgjisë dhe teatrit evropian të shekullit të kaluar.

 

Njëri nga këta dy emigrantë (Ergys Zalli) është emigranti politik, një intelektual, shkrimtar, njeri i cili u largua nga atdheu i tij me arsye se nuk mundi t'i shprehte lirshëm mendimet e tij.

 

Personazhi tjetër (Aleksandër Koqeku) është emigranti ekonomik, një punëtor krahu, njeri i paarsimuar që zgjodhi emigracionin për të gjetur lirinë materiale, dhe që e la vendlindjen për të fituar para.

 

Të dy këta emigrantë janë të detyruar të shikojnë kohën se si ju ikë para syve, pa e kuptuar se sa të varur janë nga njëri tjetri, se sa larg kanë udhëtuar secili me arsyet e veta për të qëndruar larg familjes, larg vendlindjes. Secili nga ta e konsideron tjetrin si torturuesin e vet pa e marrë parasysh që ata në të vërtetë s'janë tjetër veçse dy përbërësit e një tërësie. Këta dy persona të cilët përfaqësojnë mendimet të shtresave te kundërta shoqërore, janë të detyruar nga rrethanat të qëndrojnë së bashku brenda një bote të vogël e të izoluar.