Këtë vit Provinca Françeskane Shqiptare feston 800-vjetorin e pranisë së françeskanëve në Shqipëri. Gjithashtu sot, më 23.10.2019, përkujtohet edhe 148-vjetori i lindjes së Át Gjergj Fishtës. Prandaj në kuadër të këtyre dy gëzimeve të mëdha u zhvillua në kuvendin e Zojës Nunciatë në Lezhë, në orën 11:00, një program i pasur me poezi, këngë e himne.
Figura e Át Gjergj Fishtës është mjaft e njohur në Shqipëri dhe më gjerë. Ai ka dhënë një kontribut shumë të madh në fushën letrare duke qenë poet, dramaturg, prozator, kritik si dhe historian i letërsisë, por edhe në fushën politike duke qenë anëtar i delegacionit të qeverisë shqiptare në Konferencën e Versajës dhe zëvendës kryetar i legjislativit shqiptar më 1921. Por ai dha një kontribut të madh edhe si frat françeskan duke ushtruar detyrën e famullitarit, mësuesit, sekretarit si dhe ministrit provincial. Për një periudhë kohore Át Gjergj Fishta punoi si mësues në Kolegjin e Troshanit dhe gjatë kësaj kohe mbulonte me shërbim meshtarak kishën famullitare të Dom Lleshit (Zojës Nunciatë) në Lezhë, në të cilën shërbeu si kapelan (1896 – 1897).
Programin e hapi guardian i kuvendit dhe famullitari i famullisë Zoja Nunciatë, fra Vitor Demaj, i cili falënderoi të gjithë pjesëmarrësit e pranishëm si dhe bëri një përshkrim të shkurtër të aktivitetit. Të pranishëm ishin: mons. Angelo Massafra, arqipeshkvi i Arqidioqezës së Shkodër-Pultit, mons. Ottavio Vitale, ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës, fra Mirash Marinaj, zëvendës provinciali i Provincës Françeskane Shqiptare, prof. as. dr. Vinçens Marku, dom Artan Seli, kancelari i arqidioqezës Shkodër-Pult, fra Aleksandër Tanushi, guardian i kuvendit të Shën Françeskut në Shkodër, fretërit nga kuvendi i Zojës Rruzare te Arra e Madhe (Shkodër) si dhe besimtarët e famullisë Zoja Nunciatë. Më pas vazhdoi mons. Ottavio Vitale me përshëndetjen, i cili u pasua nga mons. Angelo Massafra.
Përformancat më të spikatura ishin ato të Lukë Mllugës, i cili këndoi disa këngë dhe himne si: “Porsi fleta”, “Atdheut” dhe “I dëbuemi”, dhe të Paulin Ujkës, i cili recitoi disa poezi të Fishtës si: “Shqypnia”, “Shkarpat”, “Nevojat e mësimit” dhe “Dredhia e djallit”. Ndërsa prof. as. dr. Vinçens Marku foli mbi artin në veprën e Át Gjergj Fishtës. Gjithashtu patëm mundësinë të dëgjojmë një rapsod popullor të kënduar nga Lumturie Nonaj. Në fund të gjithë të pranishmit shikuan ekspozitën me dorëshkrimet dhe veprat origjinale të Át Gjergj Fishtës.
Fra Lorenc Pepniku