Kushtet e përjetëshme

Të premten, më 14 shtator 2018 në festën e Lartësimit të Kryqit, në Kishën e shën  Françeskut në Gjuhadol/Shkodër, ishte festë e veçantë për Provincën Françeskane Shqiptare, pasi që në këtë meshë i bënë Kushtet e përjetëshme dy fretër të Provincës: fra Jak Kolgjeraj nga Zymi/Kosovë, dhe fra Kastriot Demaj nga Dushi/Pukë.

 

Mesha u kremtua në ora 11.00 të cilën e drejtoi fra Aurel Gjerkaj, provincial, e bashkë me të koncelebruan edhe gjithë fretnit e Provincës të ardhur nga Tuzi, Bajza, Shkodra, Lezha, Laçi, Tirana e Gjakova, e po ashtu shumë meshtar të tjerë rregulltar e dioçezan të ardhur nga ipeshkvitë e ndryshme të Shqipërisë, Kosovës e Malit të Zi.

 

Pjesëmarrja e Arqipeshkvit të arqipeshkvisë Shkodër – Pult, mons. Angelo Massafra OFM, e rriti edhe ma shumë gëzimin e kësaj feste, pasi që në fund të meshës ua ndau bekimin apostolik fretërve që bënë Kushtet e përjetëshme, si dhe gjithë besimtarëve të tjerë të pranishëm.

 

Pas meshës guardian i Kuvendit të shën Françeskut në Gjuhadol, fra Aleksandër Tanushi, i falënderoj të gjithë të pranishmit dhe i ftoj të gjithë që të marrin pjesë në drekën vëllazërore që u shtrua para Kuvendit.

 

Fra Driton Hajdaraj