Lezhë, më 11 maj 2018

71-vjetori i martirizimit i të lumit                  Át Serafin Koda

Më datë 11 maj në famullinë “Zoja Nunciatë” në Lezhë, u kujtua përvjetori i vdekjes, për shkak të torturave të pësuar nga regjimi komunist, të të Lumit të Kishës Shqiptare, françeskanit Át Serafin Koda. I lumi Át Serafin Koda, lindi në Janjevë të Kosovës më 25. 04. 1893. U shugurua meshtar më 30. 06. 1915. Qe famullitar në Rajë-Mertur, Bizë, Shalë, Prekal, Bushkash, Dushman, Vukël e Lezhë. Ishte definitor dhe ekonom i Provincës.

 

U arrestua dhe u burgos në Lezhë më 13. 10. 1946 në kuvendin e kthyer në spital. Pa gjyq dhe pa dënim, vdiq për shkak të torturave në Lezhë më 11. 05. 1947. Trupi i tij pushon në kishën e Fretërve Minorë “Zoja Nunciatë” në Lezhë.

 

Këtë përkujtim e filluam duke kremtuar Meshën e shenjtë në orën 17:00 e drejtuar nga ipeshkëvi i Lezhës imzot Ottavio Vitale, të pranishëm ishin edhe fretërit e provincës sonë françeskanë “Zoja Nunciatë” Shqipëri dhe Mal të Zi dhe shumë besimtar.

 

Imzot Ottavio gjatë predikimit të tij ka folur për të lumin Serafin Koda dhe ka thënë: “U dallua në të thjeshtësia, përvujtëria dhe varfëria e shën Françeskut të Asizit. Sa qe famullitar organizoi shumë mirë bashkësinë famullitare. Pati një devocion të veçantë për Eukarestinë, Mundimet e Krishtit, Zojën e Bekuar dhe Shna Ndoun.”

 

Pas Meshës së shenjtë imzot Ottavio Vitale ka bekuar mozaikun që është vendosur pranë Relikëve të Serafin Kodës që ndodhen në anën e majtë mbrenda në kishë. Pastaj ka bekuar pikturën e të lumit Serafin Koda që ndodhet në kishë.

 

Fra Sergjo Jaku