“Thirja françeskane në boten bashkëkohore: sfidat dhe perspektivat"

Gjatë javës së kaluar, nga 16 e deri më 21 tetor 2018, kemi pasur nderin që në mesin e bashkësisë sonë franҫeskane shqiptare të kemi nga Kuria Gjenerale e Romës, të ftuar nga kustodi ynë fra Aurel Gjerkaj, sekretarin për formim dhe studim, fra Cesare Vaiani, dhe zëvendësin e tij, fra Siniša Balajić. Fra Cesare dhe fra Siniša mbërritën më datën 16 tetor në Kishën e shën Antonit të Padovës në Laç/Sebaste, të shoqëruar nga kustodi fra Aurel Gjerkaj dhe sekretari fra Marko Ešegović. Ua dha mirëseardhjen guardiani i kuvendit, fra Mirash Marinaj, së bashku bashkëvëllezërit: fra Sokol Pepushaj, fra Fran Përlala dhe fra Ndue Toplana. Pas takimit vëllazëror më fretërit që jetojnë në Bashkësinë e Laçit, mbërritën në Shkodër.

 

Pasdite të datës 16 tetor fra Cesare dhe fra Siniša zhvilluan një takim më bashkësinë e fretërve në Gjuhadol, ku i priti fra Aleksandër Tanushi. Në takim morën pjesë krejt bashkësia bashkë me klerikët. Gjatë takimit Drejtuesit e formimit në Urdhrin Françeskan nxitën të pranishmit që të jetojnë sa më mirë thirrjen e tyre në jetën Françeskane.

 

Më datën 17 tetor paradite arritën në shtëpinë e Noviciatit në kuvendin e Lezhës, të cilët priti guardiani, fra Vitor Demaj, me bashkëvëllezërit dhe novicët. Me atë rast kanë bërë një vizitë kuvendit dhe kishës, ku guardiani në pika të shkurtra paraqiti historikun përgjatë tetë shekujve të themelimit të kuvendit dhe të kishës dhe të pranisë së françeskanëve në Lezhë. U foli edhe për historikun e martirizimit të të Lumit Serafin Koda. Mandej vazhduam në bibliotekë, ku fra Cesare e fra Siniša e mbajtën ligjëratën. Mysafirët e nderuar na treguan përvojën e formimit në Urdhrin Françeskan dhe na dhanë porosi për të jetuar sipas shembullit të shën Françeskut, si edhe mbi jetësimin e thirrjes sonë franҫeskane në botën e sotme. Pastaj patëm një drekë vëllazërore.

 

Po në atë pasdite të datës 17 tetor Sekretari i Urdhrit bashkë me zëvendës sekretarin vizituan bashkësinë françeskane në Bajzë, ku ndodhet Postullandati. Në Bajzë u pritën nga mësuesi i postullantëve, fra Landi Jaku. Bashkëndanë përvojën formuese dhe i dhanë porosi mbi jetën françeskane bashkësisë së Bajzës.

 

Më 18 tetor në ora 10:00 në teatrin “Illyricum” të Gjuhadolit në Shkodër filluam takimin e parë, ku ligjëratën e mbajti fra Cesare Vaiani, i cili në mënyrë sistematike na foli për formimin françeskan. Ai tha se cila është thirrja françeskane në botën e sotme, që do të thotë: t’i drejtohemi drejtpërdrejt Shën Françeskut dhe të dëshirojmë të dëgjojmë atë që ai thotë, nëpërmjet shkrimeve të tij. Ky udhëtimi fillon nga takimi me vëllezërit, në të cilët ne mund të njohim praninë e Zotit, nëpërmjet veprimit të Shpirtit të Zotit, dhe mandej kalon nëpërmjet të jetuarit pa asgjë tonën. Duke vepruar kështu ne jetojmë thirrjen tonë. Në fakt, nëse ndalemi vetëm në këtë dimension, duke mos pasur asgjë nga prona jonë, por nëse jetojmë një jetë individualiste, ne jetojmë vërtetë një itinerar asketik, por steril: ndërsa pasuria e kësaj rruge qëndron në frytshmërinë e kthimit të vërtetë, që konsiston në takimin me Zotin, përmes tjetrit njeri. Këto ishin disa mendime të fra Cesares. Salla ishte e mbushur me rreth 100 persona të pranishëm të familjes franҫeskane, duke përfshirë fretërit, motrat franҫeskane të kongregatave të ndryshme, terciaret (OFS), si dhe Rininë franҫeskane. Morën pjesë edhe vëllezërit Kapuçinë.

 

Pas ligjëratës vazhduam me punën në grupe. Pastaj patëm një drekë vëllazërore në oborrin e kuvendit, për të cilën u kujdes guardiani, fra Aleksandër Tanushi. Pasdite vazhduam me ligjëratën që na drejtoi fra Siniša Balajić. Ligjërata e tij la përshtypje entuziazmi në të gjithë ne dhe fjalët e tija mbi thirrjen e Zotit në përvojën e jetës franҫeskane ishin mjaft të qëlluara. Shkurtimisht çfarë ka paraqitur fra Siniša? Ne përpiqemi të theksojmë se thirrja jonë e gjen burimin e saj në jetën e zakonshme; është në strukturë një thirrje personale dhe njëkohësisht vëllazërore. Prandaj kërkon gjithashtu mbështetje, shoqërim vëllazëror. Kjo është arsyeja pse ajo shfaqët në të gjitha rrethanat e jetës (të mira apo të vështira). Thirrja është një mundësi për çdo person, jo vetëm për fretërit dhe murgeshat, por të gjithë duhet të jetojmë thirrjen e Zotit në gjendjen e jetës sonë. Pra, ne fillojmë nga jeta për të shkuar në një mision në jetën e përditshme. Sigurisht që ekziston një luftë e fortë për të fituar mbi tendencën e mentalitetit të botës së sotme, që shfaqët përmes pushtetit dhe dëshirave për sundim mbi tjetrin, nëpërmjet fuqisë së ideve, teknologjisë, shkëmbimeve ekonomike etj. Ne ndiejmë peshën e një shoqërie të globalizuar, që pretendon të vetë-rregullojë gjithçka, duke hapur rrugën e saj pa kritere etike, sikur të ishte një zot absolut. Na dhemb shkatërrimi i pamëshirshëm dhe progresiv i ambientit, që është shtëpia e përbashkët e të gjithëve.

Kontakti i drejtpërdrejtë me dhembjen, me krizën e kohës sonë, ka bërë që bashkëkohësit tanë ta vënë në pikëpyetje domethënien e historisë, të ekzistencës, të jetës, ta vënë në dyshim vërtetësinë e shpresës dhe më në fund të pyesin veten për çdo gjë.

Të gjitha këto aspekte të jetës së përditshme, na shtynë edhe ne françeskanët të bëjmë pyetje mbi sfidat e jetës dhe të thirrjes sonë, mbi mundësitë, burimin dhe pikat e forta të misionit tonë. Pas ligjëratës përfunduam me punën në grupe, e pastaj u shpërndamë.

 

Në mbrëmje të datës 18 tetor fra Cesare bashkë me fra Siniša, të shoqëruar nga fra Aureli dhe fra Marko, shkuan në Tuz, në Mal te Zi, për të bërë një vizitë vëllazërore fretërve tanë që jetojnë atje, duke parë nga afër veprimtarinë dhe punën e tyre. I priti guardiani, fra Pashko Gojçaj, me bashkësinë. Vizituan edhe qendrën e Misionit françeskan në Sukruq të Malit të Zi, që udhëhiqet nga fra Fran Dushaj.

 

Më 19 tetor në ora 10:00 fra Marko Ešegović prezantoi punën në grupe. Në sallë ishin të pranishëm 90 persona. Përfaqësuesi i çdo grupi e prezantoi punën që kemi bërë dje dhe pastaj fra Cesare Vaiani dhe fra Siniša Balajić e bënë përmbylljen, duke na këshilluar që ta jetojmë Ungjillin sipas gjurmëve të Shën Françeskut. Në fund kustodi, fra Aurel Gjerkaj, e falënderoi kryesinë, bashkëpunëtorët, si edhe të gjithë të pranishmit, duke uruar që porosia e këtyre dy ditëve të sjell frytet në jetën tonë të përditshme, që të jemi edhe ne si shën Françesku ata të cilët do ta jetojnë porosinë e Jezusit të varfër, që bota e sotme ta shohë në ne Zotin e pranishëm.

 

Në pasditen e datës 19 tetor u zhvillua takimi me fretërit me kushte të përjetshme. Në këtë takim fra Cesare dhe fra Siniša informuan Kustodien mbi formimin e përgjithshëm dhe mbarëvajtjen e Urdhrit françeskan.

 

Me datën 20 dhe 21 tetor ishin dy ditët e fundit e qëndrimit të miqve tanë nga Italia. Ata përpara se të niseshin, vizituan Krujën, Bizën, Kepin e Rodonit dhe kuvendin e shën Ndout në Tiranë. Në Tiranë miqtë i priti guardiani, fra Prelë Gjurashaj, me bashkësinë. Në udhëtim i shoqëroi kustodi, fra Aurel Gjerkaj, dhe sekretari i Kustodies, fra Marko Ešegović.

 

Më datën 21 tetor, pasi morën pjesë në Meshën e orës 09:00 në kishën e Shna Ndout në Tiranë, bënë një vizitë në vendet e rëndësishme të Tiranës. Pas drekës vëllazërore u kthyen në Itali, duke lënë te ne përshtypje shumë të mira.

 

Fra Tome Bushprendi

 

 

ALBUMI I PARË - Takimin me familjen françeskanë.

ALBUMI I DYTË - Vizitat në shtepitë e formimit dhe në vendet më të rëndësishme.