Java e Lutjes për Njëshmërinë e të Krishterëve

Mësoni të bëni vepra të mira, kërkojeni drejtësinë!” ka qenë motoja e Javës së Lutjes për Njëshmërinë e të krishterëve, e cila zë fill në vitin 1908, kur me propozimin e fra Paul Wattson filluan të mbaheshin disa takime lutjeje mes bashkësive të të krishterëve, ortodoksëve dhe kishave të tjera, themeli i të cilave është Jezu Krishti. Me kalimin e viteve kjo javë lutjeje, e cila në pjesën më të madhe të globit kremtohet në datat 18-25 janar është përmirësuar dhe pasuruar vazhdimisht. Çdo vit përgatiten materiale të ndryshme për çdo ditë të kësaj jave. Këto materiale përpunohen nga grupe të krishtera të rajoneve dhe vendeve të ndryshme.

 

Është e rëndësishme të theksohet se kjo javë kremtohet ndërkombëtarisht në forma dhe mënyra të ndryshme duke iu përshtatur dhe traditave e zakoneve të vendit. Fakti që kishat anembanë botës e kanë përqafuar këtë javë është një motiv i mjaftueshëm që tregon praninë e Zotit në këtë nismë, pasi “aty ku janë dy ose tre vetë të bashkuar në emrin tim, aty jam edhe unë midis tyre” (Mt 18,29). Edhe në Shqipëri çdo vit organizohen takime ekumenike me rastin e kësaj jave lutjeje. Por këtë vit ka pasur një risi në organizmin e këtyre takimeve. Bëhet fjalë për pjesëmarrjen e kishës ungjillore në Shkodër, e cila vetëm e ka përplotësuar kuptimin e vërtetë për të cilin edhe është themeluar kjo jave lutjeje. Këtë vit janë organizuar 3 takime ekumenike, përkatësisht në kishën katolike, ortodokse dhe ungjillore. Siç u përmend më sipër, për vitin 2023 është përzgjedhur rreshti nga profeti Isaia (1,17), të cilin e shpjegon më së miri dokumenti i përgatitur nga Këshilli Papnor për Promovimin e Njëshmërisë së të Krishterëve, Komisioni për Besimin dhe Urdhri i Këshillit Botëror të Kishave, dokument i cili në konkluzionin e tij thotë se:

 “Isaia e ftoi popullin e Zotit në kohën e tij që të mësonin të bënin mirë së bashku; për të zbatuar drejtësi së bashku, për të shpëtuar të shtypurit së bashku, për të mbrojtur jetimët dhe për të lutur për të venë së bashku. Ftesa e profetit vlen edhe për ne sot. Si mund ta jetojmë njëshmërinë tonë si të krishterë në mënyrë që të përballemi me të këqijat dhe padrejtësitë e kohës sonë? Si mund të angazhohemi në dialog, që të rrisim ndërgjegjësimin, mirëkuptimin me njohuri dhe përvoja të jetuara të njëri-tjetrit? Këto lutje dhe takime të zemrës kanë fuqinë të na transformojnë, individualisht dhe kolektivisht. Le të jemi të hapur ndaj pranisë së Hyjit në të gjitha takimet tona me njëri-tjetrin ndërsa kërkojmë të transformohemi, për të çmontuar sistemet e shtypjes dhe për të shëruar mëkatet e racizmit. Së bashku, le të përfshihemi në luftën për drejtësi në shoqërinë tonë. Ne të gjithë i përkasim Krishtit.”

Kanë qenë pikërisht fjalët ndërgjegjësim dhe mirëkuptim, të cilat kanë kumbuar vazhdimisht gjatë ditëve të kremtimeve ekumenike. Kremtimi i parë është organizuar në kishën e Shën Françeskut në Gjuhadol, më 18 janar 2023 në orën 17:00. Udhëheqësi i këtij kremtimi ishte arqipeshkvi i Arqidioqezës Shkodër-Pult, imzot Angelo Massafra, i cili u falënderua përzemërsisht në fjalën e tij të mirëseardhjes nga përgjegjësi për Zyrën e Ekumenizmit dhe Marrëdhëniet Ndërfetare në Shkodër, dom Emilio Valente FDP. I pranishëm si përfaqësues i Kishës ortodokse ishte famullitari i kishës së Lindjes së Krishtit në Shkodër, atë Nikolla Petani, i cili në fjalën e vet theksoi mjaft bukur faktin se “ndarja” e kishave ekziston vetëm nga ana konceptuale, pasi Kisha e vërtetë është vetëm një, e ajo i përket Jezu Krishtit. I pranishëm si përfaqësues i Kishës ungjillore ishte edhe pastor Denis Kopliku, i cili ushtron zyrën e këshilltarit pranë komunitetit ungjillor “Emanuel” në Shkodër. Pastor Denisi u rikujtoi të pranishmëve thirrjen e Jezusit për të shërbyer, sidomos atyre që kanë më shumë nevojë për praninë e Zotit në jetën e tyre. Gjatë kremtimit, në të cilin qenë të pranishëm edhe disa rregulltarë e besimtarë të kësaj arqidioqeze, nuk munduan as shenjat e dukshme, këngët dhe leximet e ndryshme nga Shkrimi i Shenjtë, të cilat u përmbyllën nga imzot Massafra me Lutjen Përfundimtare dhe bekimin solemn.

 

Takimi i dytë është zhvilluar të nesërmen në kishën e Lindjes së Krishtit, ku të pranishmit u mirëpritën nga atë Nikolla. Pas leximit të pjesëve të paracaktuara, atë Nikolla i mëshoi temës së virtytit të qëndrueshmërisë, i cili duhet ta karakterizojë çdo besimtar në këtë ecje tokësore të Kishës. Menjëherë pasi tij, fjalën e mori imzot Angelo Massafra. Në vijimësi me mendimin e atë Nikollës, Massafra këmbënguli në të qenurit dëshmitar në botë, i asaj dashurie të madhe që Zoti ka për ne. Në fund pastor Denisi, duke komentuar një pjesë nga Ungjilli i Lukës insistoi në pranimin e vuajtjes si një pjesë të jetës, e cila nuk duhet të na mbizotërojë, por të kthehet në forcë gjatë ecjes me Zotin. Takimi i tretë dhe i fundit e këtyre kremtimeve është organizuar në kishën ungjillore “Emanuel”. Edhe gjatë këtij takimi ishin të pranishëm tre përfaqësuesit e kishës katolike, ortodokse dhe ungjillore. Imzot Massafra në fjalën e tij, ndër të tjera tha se: “Java për Bashkimin e të krishterëve na fton që të ecim përpara me shpresë e me guxim, të bëjmë të mirën, të mos gjykojmë, por të ecim me përvujtëri”.

 

Këto takime të bëra për tri ditë radhazi shërbejnë si një nxitje për secilin njeri vullnetmirë që të çojë përtej e ta zhvillojë këtë nismë, finaliteti i së cilës është Kisha e bashkuar në Jezu Krishtin. Një ideal i tillë mund të bëhet realitet vetëm nëse secili besimtar, sipas gjendjen dhe situatës ku ndodhet, jep kontributin e tij qoftë me lutje, takime apo aktivitete të tjera që promovojnë bashkimin, harmoninë dhe mirëkuptimin.

 

Teksti: Fra Lorenc Pepniku

 

Fotot: Florenc Nika