E kremtja e Zojës Nunciatë

Një ndër festat më të mëdha të Zojës së Bekuar është e kremtja e Lajmërimit të Zotit, e cila festohet më 25 mars. Urdhri françeskan që në zanafillën e tij ka pasur në nderim të posaçëm për Zojën e Bekuar. Kjo gjë pasqyrohet, ndër të tjera, edhe në faktin se pajtorja e krejt Urdhrit françeskan është Zoja e Papërlyer, festa e së cilës kremtohet më 8 dhjetor. Si vijueshmëri e këtij devocioni Provinca Françeskane Shqiptare në Shqipëri dhe Mal të Zi ka pajtore të veten pikërisht Zojën Nunciatë.

 

Më 25 mars 2023, para kremtimit të meshës solemne është mbajtur një takim i përbashkët me të gjithë fretërit në ambientet e Kuries Provinciale në Gjuhadol. Enkas për këtë takim ka ardhur Definitori Gjeneral për Amerikën Latine fra César Külkamp, i cili ka bërë një paraqitje të përgjithshme të Dokumentit përfundimtar të Kapitullit Gjeneral 2021. Menjëherë pas takimit është kremtuar mesha solemne në kishën e Shën Françeskut në Gjuhadol në orën 11:30. Ky kremtim i veçantë për Provincën françeskane është udhëhequr nga arqipeshkvi i Tivarit në pension, imzot Zef Gashi. Bashkëkremtoi Delegati i Ministrit Gjeneral për Shqipërinë fra Ivan Sesar, Definitori Gjeneral fra César Külkamp, zëvendësi i Provincialit të Provincës Françeskane Shqiptare fra Aurel Gjerkaj, rektori i kishës së Shën Françeskut fra Gazmend Tinaj si dhe shumë meshtarë të tjerë fretër dhe priftërinj nga Shqipëria dhe Mali i Zi.

 

Gëzimi i këtij kremtimi ka qenë i dyfishtë pasi dy fretër me kushte të përkohshme: fra Anton Gilaj dhe fra Tomë Bushpreni kanë marrë shërbesën e Lektoratit nga imzot Gashi. Mesha është përmbyllur me letrën e Ministrit Gjeneral drejtuar fra Ivan Sesarit, provincialit fra Pashko Gojçajt dhe të fretërve të Provincës. 

 

Teksti: Fra Lorenc Pepniku