Administrator i famullisë
Thethi, sipas Lovro Mihaçeviq, është ndarë famulli në vete nga famullia e Shalës në vitin 1892, ka qelën e re e të bukur famullitare dhe kishën. Gjendet në mes të maleve më të larta shqiptare në një rrafshnaltë të vogël pranë lumit Shalë, famullia është e përbërë prej 6 fshatrash me 664 banorë.
Kuvendi dhe Kisha e Thethit u ndërtua në vitin 1892 dhe iu kushtuan së lumë Mari, Nënës së Këshillit të Mirë. Kisha e Thethit shpejtë u bë një ndër kishat me rëndësi në zonën e Pultit, për nga natyra dhe pozicioni i vendit i cili është shumë i bukur. Në këtë periudhë, sipas shënimeve të një misionit të shkurt-prill 1904 të Atë Domeniko Paziti, Thethi ishte fshat me rreth 100 familje. Ndërsa në veprën e Atë Lorenc Viezzoli të viti 1929 famullia e Thethit është pjesë e Dioqezës së Sapës dhe numëron 1015 katolikë.
Provinca Françeskane në Shkodër në kohën e fretërve të mëdhenj të saj, të Atë Gjergj Fishtës, Atë Shtjefën Gjeçovit, Atë Anton Harapit, Atë Bernardin Paljat, Atë Marin Sirdani etj., e pati përdorur kishën dhe Kuvendin e Fretërve për pushimet e tyre. Gjatë muajit të verës aty dilnin për të veruar seminaristët dhe studentët, të cilët më vonë ja kushtonin jetën Zotit. Në kohën para komunizmit, kisha është djegur dy herë dhe në të dyja rastet u restaurua plotësisht. Përveç fretërve të shumët, në atë kishë shërbyen edhe shërbëtorët e Hyjit. Atë Serafin Koda e Atë Gaspër Suma.
Gjatë komunizmit kisha e qela u përdoren si çerdhe për fëmijë.
Në rrënojat e kësaj kishe është restauruar dhe ndërtuar kisha pothuajse krejt e re. Restaurimi i kësaj kishe u bë me ndihmën e komunitetit thethian, i cili jeton në Amerikë. Punimet për restaurimin e kishës i udhëhoqi fra Ndue Toplana në kohën kur ishte Provincial në vitin 2006. Është ndërtuar një kishë fort e bukur në ngjasim të së parës. Në këtë mënyrë kisha e rindërtuar rishtas e hijeshon zonën e bukur turistike të Thethit. Bekimi i saj u bë më 16 shtator, 2006.
Atë Vitor Demaj
Zona e Dukagjinit