Famullia e Iballes

 

Fra PASHKO GOJÇAJ

Administrator i Famullisë së Shën Gjergjit në Iballe. 

Iballja është një famulli shumë e vjetër në zonën e Pukës. I takon Ipeshkvisë së Sapës, e cila në vitin 1893 ia besoi Provincës françeskane shqiptare katër famulli të veta: Iballen, Berishën, Fierzën dhe Dardhën. Atë vendim e miratoi edhe Koncili III i Arbërit, në vitin 1895. Famullitari i parë ishte Fra Zef Mesi nga Blinishti (1893-1907). Ai menjëherë e ndërtoi kishën e re dhe qelën në lagjen Koprat. Në vitin 1903 ai në Iballe e hapi edhe shkollën shqipe.

 

Deri te mbyllja e kishave nga regjimi komunist (në vitin 1967) në Iballe kanë shërbyer 17 meshtarë. Ndër ta ishte edhe njëri prej martirëve shqiptarë, i lumi Fra Mati Prendushi (1927-1929). Më së shumti atje kanë shërbyer: Fra Nikollë Kola (1932-1944), Fra Leonard Shajaku (1944-1956) dhe Fra Dioniz Maka (1956-1967). Pas mbylljes së kishave në vitin 1967 kisha famullitare e shën Gjergjit u shndërrua në stallë, kurse kapelja e shën Sebastianit u bë depo.

 

Pas lirimit të fesë në vitin 1990/1991 në këtë zonë vinin për të thënë ndonjë meshë dhe për të ndarë sakramente meshtarë të ndryshëm: don Loro Nodaj, don Luigj Kçira, p. John Gibson, Fra Dioniz Maka, Fra Lovro Gavran dhe Fra Ilija Kovačević.

 

Në mars të vitit 1995 Fra Lovro Gavran u caktua famullitar i Iballes, Berishës, Fierzës dhe Dardhës. Menjëherë filloi ndërtimin e qendrës pastorale: kishën e re e filloi në vitin 1995, e kuvendin në vitin 1996. Në vitin 1998 e rregulloi edhe kapelen e shën Sebastianit. Kisha u shugurua më 02. 08. 2000, në vitin jubilar të krishterimit. Në atë kohë Iballja dha edhe mjaft thirrje meshtarake dhe rregulltare.

 

Në Iballe vepronin edhe Motrat françeskane të Zojës së Papërlyer. Më së shumti m. Ana Nikolla (1995-2002), e me të edhe m. Drande Preknicaj, m. Vitore Rushaj, m. Gjyste Gjonlleshaj; pastaj m. Marieta Dodaj, m. Marte Spaqi, m. Tone Karaçi dhe m. Margita Jaku. Pasi Fra Lovro Gavran më 09. 05. 2001 u transferua në Gjakovë, famullitar në Iballe u bë Fra Leonard Deja, polak. Kur ai në vitin 2004 shkoi për shërim në Poloni, e nuk e zëvendësoi askush, edhe motrat u tërhoqën nga Iballja.

 

Pastaj Iballja është shërbyer nga Kuvendi françeskan Gjuhadol – një herë në muaj. E shërbenin më së shumti Fra Gazmend Tinaj, provincial, Fra Mikel Pllumaj, etj. Nga viti 2015 deri në mars 2018 e shërben Fra Włodzmierz Mamala, polak.

 

Për fat të mirë, që nga viti 2001 Ipeshkvia e Sapës çdo vit në korrik organizon misione verore në këtë zonë. Misionarët rrinë në Qendrën pastorale të Iballes, e çdo ditë mësimin e fesë e mbajnë si në Iballe, po ashtu edhe nëpër lagje të largëta (Berisha e Vogël, Shopël, Pap, Ludricë etj.), për t’i përgatitur besimtarët për sakramente.


Famullia e Iballes

Google Maps content is not displayed due to your current cookie settings. Click on the cookie policy (functional) to agree to the Google Maps cookie policy and view the content. You can find out more about this in the Google Maps privacy policy.