Guardianat. Famulli.
Studentati për fretërit me kushte të përkohshme.
Qendrën pastorale tek Arra e Madhe në Shkodër e ka themeluar Fra Tomë Marcozzi, OFM në vitin 1887, duke blerë një shtëpi dhe duke ndërtuar pranë saj një kapele të vogël. Në vitin 1898 Fra Augustin Zubac (nga Provinca e Hercegovinës), Komisari Gjeneral i të gjitha misioneve françeskane në Shqipëri, e vendosi selinë e vet tek Arra e Madhe. Edhe Fra Lovro Mihačević (nga Prov. e Bosnjës), provinciali i parë i Provincës së ripërtërirë, Provincialatin e vet e kishte po aty. Kur në vitin 1909 Provincialati kaloi në Gjuhadol, tek Arra e Madhe u vendos Seminari françeskan.
Gjatë rrethimit të Shkodrës nga ana e Malit të Zi (1912-1913), Arra e Madhe ishte strehim për ipeshkvijtë, meshtarët dhe motrat e Shkodrës, sepse topat e Malit të Zi nga Taraboshi nuk mund të gjuanin deri atje.
Në vitin 1914 Fra Pal Qurçia i vuri themelet e kishës së re, por për shkak të mungesës së mjeteve, kisha nuk u krye deri në vitin 1934.
Arra e Madhe deri në vitin 1932 ishte vetëm një rezidencë e fretërve, me një president, kurse prej asaj kohe është Kuvend (“casa formata”) dhe guardianat.
Pas mbylljes së kishave në vitin 1967, kisha dhe kuvendi i Arrës së Madhe u bënë pjesë e Fabrikës së mëndafshit. Kisha shërbente si magazinë kripe. Në të komunistët e kanë ruajtur altarin e madh – për të xhiruar atje filma propagandues kundër fesë.
Pas lirimit të fesë meshën e parë në Kishën e Zojës Rruzare e ka thënë don Ndoc Nogaj, më 25. 11. 1990. Në fakt, fretërit e kishin caktuar Fra Aleks Baqlin që ta shërbente Arrën e Madhe, por don Ndoci nuk e la dhe e mbajti atë kishë deri në qershor 1994. (E dorëzoi me urdhër të ipeshkvit, mons. Frano Illia, nga data 10. 05. 1994.)
Më 28. 11. 1999 mons. Angelo Massafra e shpalli Arrën e Madhe si zonë pastorale, nën drejtimin e provincialit françeskan, Fra Flavio Cavallinit, kurse më 07. 07. 2001, me dekretin nr. 72/2001, e themeloi famullinë e re Arra e Madhe, e cila i besohet Provincës françeskane shqiptare. Famullitari i parë ishte Fra Marjan Lumçi.
Më 14. 01. 2000 fretërit më në fund kanë hyrë në Kuvendin e Arrës së Madhe, që prapë u bë guardianat. Një kohë atje ishte edhe Kuria e provincialit, pastaj kuvendi për fretër me kushte të përkohshme, e më në fund Seminari i vogël Françeskan. Në një periudhë Arra e Madhe u bë shtëpi filiale e Kuvendit françeskan Gjuhadol (2006-2015), e pastaj prapë guardianat.
Familja Rregulltare
Fra AUREL GJERKAJ, Këshilltar i parë, Guardian, Mësues i fretërve me Kushte të Përkohshme, Sekretar i Kustodies për formimin dhe studimet, Përgjegjës i zyrës së bamirësisë, Përgjegjës për Bukën e Shna Ndout, Asistent i Kustodies për Urdhrin e dytë, Asistent lokal OFS.
Docent në Institutin filozofiko-teologjik ndërdioqezan të Shkodrës. Vikar gjyqësor
Fra JAK KOLGJERAJ, Famullitar i famullisë së Arrës së Madhe, Zëvëndës mësues i fretërve me kushte të përkoheshme, Vikar i kuvendit, Ekonom i kuvendit, Përgjegjës për Infermierinë e Kustodies.
Fra Sergjo Jaku, Ndihmës ekonom Kustodial, Përgjegjës për komunikimin shoqëror të Kustodies, Sakrestian tek Arra e Madhe.
STUDENTËT
Fretërit me kushte të përkohshme:
Fra Anton Gilaj
Fra Lorenc Pepniku
Fra Gjergj Deda
Fra Kreshnik Marku
Kuvendi “Zoja Rruzare” Arra e Madhe
Rruga At. Justin Rrota 14,
4001 Shkodër - ALBANIA
Tel. i Kuvendit: +355 222 42 370
Tel. i Famullisë: +355 222 47 371