Administrator i famullisë se Lindjes së Zojës se Bekuar në Troshan (bashke me Fishtën).
Kuvendi françeskan Troshan dikur ishte Mbi “Shkrep”, në malin Kreshta – mbi atë vend ku gjendet tani. Edhe atje turqit e kanë djegur, bashkë me katër fretër të vjetër, të cilët për shkak të pleqërisë dhe sëmundjes nuk mund të iknin. Pasi kaloi rreziku, fretërit e ndërtuan kishën dhe kuvendin në Troshan, ku fretërit pastaj qëndruan vazhdimisht. Pasi Provinca në vitin 1832 u shndërrua në Misionin Apostolik, Prefekti i parë i Misionit të Epirit, Fra Mateu Radoš (nga Provinca e Bosnjës), selinë e kishte në Troshan dhe atje vdiq, në vitin 1838.
Derisa Pro-Prefekt i Misionit të Epirit ishte Fra Amato de Lucca, ai vendosi që atje ta ndërtojë kishën, si qendër të Misionit të Epirit. Fra Joakim B. nga Veletri kishte filluar ndërtimin e Kishës së Zojës së Papërlyer që në vitin 1857. Në atë kohë, më 12. 03. 1859 mons. Pjetër Severini, OFM, ipeshkëv i Sapës, ia dorëzoi in perpetuum Misionit të Epirit famullinë e Troshanit, të cilën përpara e shërbënin meshtarët dioçezanë.
Pastaj atje shërbenin edhe shumë fretër të tjerë, si: Fra Serafini nga Fresonara di Cortemaggiore (prefekt i Epirit në vite 1863-1879), Fra Leonardo De Martino Grecio, arbëresh, Fra Anastasio Vincenzoni etj.
Në vitin 1880 Fra Mariani nga Palmanova, Pro-Prefekt i Misionit të Epirit, dhe Fra Gjoni nga Bergamo, Pro-Prefekt i Misionit të Kastratit u morën vesh që në Troshan ta hapin Seminarin françeskan. Posa kanë marrë leje nga Kuria Gjenerale dhe nga Selia e Shenjtë (Kongregata de Propaganda Fide), menjëherë e ndërtuan pranë kuvendit edhe ndërtesën e Kolegjit për 12 nxënës, dhe më 14. 07. 1882 e hapën Seminarin, të kushtuar Doktorit Serafik, shën Bonaventurës. Eprori i parë i Seminarit ishte Fra Gaudenc Barbiq (nga Provinca e Dubrovnikut), prefekt ishte Fra Bonaventura nga Colle Bario, kurse mësues Fra Anastasio Vincenzoni.
Në vitin 1883 Fra Gaudenci u kthye në Provincën e vet, Fra Anastazi u bë drejtor, kurse Fra Lovro Mihačević (nga Provinca e Bosnjës) u bë mësues. (Në vitin 1886 edhe drejtor.) Ai e përfundoi ndërtimin e pjesës tjetër të Seminarit, që e filloi Fra Marjani, e zgjeroi dhe përfundoi kishën dhe kultivoi terrenin. Pas 10 vjetëve edhe ai u kthye në Provincën e vet, kurse veprën e tij e vazhdoi Fra Pashk Dumančić, po ashtu i Provincës së Bosnjës.
Seminari në Troshan mbeti deri në vitin 1898, kur e transferoi në Shkodër Komisari gjeneral, Fra Augustin Zubac (i Prov. së Hercegovinës).
Kur u ripërtëri Provinca, në Troshan i kishte studentët e filozofisë, fretërit e rinj me kushte të përkohshme.
Më 04.10.1922 Noviciati i Provincës françeskane shqiptare kalon prej Rubikut në Troshan dhe mbeti atje deri në vitin 1945.
Pasi në vitin 1967 u mbyllën të gjitha kishat në Shqipëri, famullitari i fundit i Troshanit, Fra Filip Mazrreku (nga Prizreni), të cilin populli e donte shumë, mbeti në Troshan dhe i mbrojti objektet e kishës nga dëmtimi. Megjithatë pas vdekjes së tij (më 11. 11. 1975), krahu i djathtë i kuvendit u shkatërrua. Lirinë e fesë e priti kisha dhe krahu i majtë i kuvendit, të cilin Provinca Françeskane Shqiptare ua dha në shfrytëzim Motrave të vogla të Familjes së Shenjtë (në vitin 1994). E pastaj, më 09. 11. 2011 ua dha Motrave të Fjalës së mishëruar, të cilat aty veprojnë edhe tani.
Lirinë e fesë e priti edhe i vetmi ipeshkëv që mbijetoi komunizmin, mons. Nikollë Troshani, Admin. Ap. i Durrësit e i Lezhës. Jetonte te familjarët e vet në Troshan. (Vdiq më 25. 05. 1994).
Tani famullia e Troshanit shërbehet nga Kuvendi françeskan i Lezhës.
Famullia e Troshanit