Që në vitin 1212 shën Françesku u njoftua në Romë me një grua bujare jashtëzakonisht të përshpirtshme, që quhej Jakoba de Septemsoliis, gruaja e Gracian Frangjipanit. Kjo ishte e vetmja grua, përveç shën Klarës!, të cilën shën Françesku e donte dhe e respektonte në mënyrë të posaçme. Edhe ajo idealin e tij e pranonte sikur një frat. Prandaj shën Françesku dhe vëllezërit e tij e quajtën “vëlla Jakoba” (“frater Jacoba”).
Edhe shumë të tjerë, burra dhe gra, dëshironin me gjithë zemër që ta ndiqnin shembullin e Shenjtit, por për shkak të obligimeve familjare ajo nuk ishte e mundshme as në Urdhrin e Parë, as në të Dytin. Prandaj për njerëz të martuar shën Françesku e themeloi Urdhrin e Tretë, “terciarët”, apo Urdhrin Françeskan Shekullar – që edhe njerëzit familjarë të mund të shkojnë gjurmëve të Krishtit në mënyrë sa më të përsosur. Rregullën e terciarëve e miratoi papa Honori III, në vitin 1221.