Klara dhe Klariset

Të dielën e Larit (një javë para Pashkëve), më 18 mars 1212 në mbrëmje, një vajzë e familjes bujare të Asizit – Klara Favarone di Offreduccio (1193-1253) – fshehtazi doli prej shtëpie dhe iku në Porciunkullë te shën Françesku me lutje që t’ia bëjë të mundshme edhe asaj jetën sipas idealit të tij. Kjo ishte një punë shumë e vështirë, sepse Françesku nuk kishte parashikuar një zhvillim të tillë. Njëkohësisht ajo ishte edhe punë urgjente – për shkak të kundërshtimit të familjes së saj, e cila dëshironte ta martonte sa më shpejt, megjithëse kundër vullnetit të saj.

 

Françesku e pranoi. Në shenjë të kthimit (të ndërrimit të jetës) ai vetë ia preu flokët dhe ia dha një zhgun të thjeshtë, me të cilin Klara i ndërroi petkat e shtrenjta dhe të bukura të bujarëve.

 

Kur familjarët erdhën për ta kthyer në shtëpi, ishte tepër vonë për kthim: Klara u bë rregulltare. Për më tepër, shumë shpejt pas saj vijnë edhe motrat dhe shoqet e saja – dhe kështu u bë Urdhri i Dytë françeskan, rregull i motrave (murgeshave), të cilat në fillim quheshin “Zonjat e varfëra”, e sot: Urdhri i Motrave të varfra të shën Klarës (apo: Klarise). Janë rregull kontemplativ, kushtuar lutjes dhe meditimit, brenda klau-zurës (dmth. këto motra kurrë nuk dalin jashtë kuvendit).

 

Mirëpo, Françesku nuk pati kuvend për to. Më së pari i dërgoi përkohësisht tek motrat benediktine, derisa nuk u krijuan kushtet te kisha e shën Damjanit, ku Klariset e vazhduan jetën sipas udhëzimeve të shën Françeskut.

 

Rregullën e tyre papa e miratoi zyrtarisht vetëm dy ditë para vdekjes së shën Klarës, më 9 gusht 1253.

Manastiri klariseve në Shqipëri

 

Shën Kjara zgjedh që të jetojë Ungjillin e Jezu Krishtit në varfri dhe në përbashkim vëllazëror, duke lejuar të udhëhiqet nga Fjala e Hyjit dhe nga soditja e të Kryqëzuarit të varfër. Rregulla e shkruar nga Shën Kjara fillon kështu: “Forma e jëtës së Urdhrit të Motrave të Varfra, e themeluar nga i lumi Françesk, është kjo: të zbatohet Ungjilli i shenjtë i Zotit tonë jezu Krishtit, duke jetuar në dëgjesë, pa asgjë të veten dhe në pastërti”.

 

Aktualisht Klariset janë rreth 16 mijë murgesha në manastiret e ndryshme të përhapura në mbarë botën. Edhe në vendin tonë është hapur manastiri “Shën Kjara” në Shkoder me 29 Tetor 2005. Prania e motrave Klarise, që vijnë nga manastiri “Shën Nikolla”, i Arqidioqezës së Otrantos, Itali, plotëson fytyrën e Kishës lokale duke e pasuruar atë me përmasën soditëse.

 

Manastiri ndodhet në zemër të qytetit, ku përpara komunizmit ndodhej Kolegji Serafik i Fretërve Minorë, ndërsa gjatë periudhës së rregjimit diktatorial të komunizmit, pikërisht në vitin 1946 sekustrohet dhe kthehet në qendër të përndjekjes më mizore dhe të pamëshirshme fetare-politike të vendit tonë. Aty ku gjatë natës lartësoheshin ofshamat e burrave dhe të grave mizorisht të torturuar, tani, ditën, në dritën e të Ringjallurit, ngrihen lavdet liturgjike të Kishës së Shenjtë, nëpërmjet zërit të këtyre motrave, rreze drite e shprese, në mesin e një populli që është duke rindërtuar historinë e tij të vështirë.