Në pagëzim u quajt Gjon. I biri i Gasprit dhe i Antonetës Rodiq, u lind në Janjevë – Kosovë, më 25. 04. 1893, në atë kohë pjesë e Arqipeshk-visë së Shkupit, tani e Administraturës Apostolike të Prizrenit.
I përkiste Urdhrit Françeskan, të Provincës së Zojës Nunciatë në Shqipëri. U pranua në noviciat në Rubik më 2. 08. 1909. Bëri kushtet e përkohshme në Rubik më 28. 08. 1910 dhe kushtet e përjetshme më 28. 04. 1915. U shugurua meshtar më 30. 06. 1915.
U arrestua dhe u burgos në Lezhë më 13. 10. 1946 në të njëjtin kuvend, të trasformuar në burg. Pa gjyq dhe pa dënim, vdiq për shkak të torturave në Lezhë, më 11. 05. 1947. Trupi i tij pushon në kishën e françeskane në Lezhë.
Studimet. – Ka ndjekur shkollën, përfshirë filozofinë, pranë Seminarit Françeskan të Shkodrës, e teologjinë në Graz (Austri).
Detyrat që ka mbuluar. – Mësues. Famullitar në Rajë-Mertur (atëherë dioqeza e Pultit, tani e Sapës), Dushman (atëherë dioqeza e Pultit, tani Shkodër-Pult), Bizë (atëherë dioqeza e Durrësit, tani e Tiranë-Durrësit), Shalë, Prekal (atëherë dioqeza e Pultit, tani e Shkodër-Pultit), Bushkash (atëherë dioqeza e Durrësit, tani e Rrëshenit), Vukël (atëherë dioqeza e Shkodrës, tani e Shkodër-Pultit) dhe Lezhë (në dioqezën me të njëjtin emër). Definitor dhe Ekonom Provincial.