Vinçenc Prennushi

Në pagëzim u quajt Kolë. I biri i Gjonit dhe i Drandes (Roza) Prêk Markaj, u lind në Shkodër më 04. 09. 1885. U pagëzua të njëjtën ditë, më 04. 09. 1885 dhe u krezmua më 30. 10. 1892. Nga dioqeza e Shkodrës, tani Shkodër-Pult.

 

I përkiste Urdhrit Françeskan, të Provincës së Zojës Nunciatë në Shqipëri. U pranua në noviciat në Rubik më 10. 10. 1900. Bëri kushtet e përkohshme në Rubik më 19. 10. 1901 dhe kushtet e përjetshme në Salzburg (Austri) më 12. 12. 1904. U shugurua meshtar në Salzburg më 19. 03. 1908. 

 

U zgjodh ipeshkëv i Sapës më 27. 02. 1936 dhe u shugurua në Shkodër më 19. 03. 1936. U transferua në selinë arqipeshkvore të Durrësit më 26. 06. 1940. U arrestua dhe u burgos në Durrës më 19. 05. 1947. U dënua me 20 vjet burg në Durrës më 24. 12. 1947. Vdiq në burg të Durrësit prej infarktit, të shkaktuar nga keqtrajtimet, nga torturat dhe nga kushtet e këqija në të cilat u mbajt, më 19. 03. 1949. Trupi i tij pushon në kishën e Shenjtës Luçia të Durrësit.

 

Studimet. – Ka ndjekur shkollën fillore dhe të mesme pranë fretërve të Shkodrës, ndërsa sstudimet teologjike i ka ndjekur në Salzburg (Austri).

 

Detyrat që ka mbuluar. – Drejtor i Kryeshoqërisë së Zojës Rruzare, Asistent i Urdhrit Françeskan Shekullar, të “Shoqërisë Antoniane”, Drejtor i revistës “Hylli i Dritës” (1920-1924) dhe për 12 vjet të fletës ndërdioqezane “E Djela”, Drejtor i “Bukës së Shna Ndout”, Drejtor i Shtypshkronjës françeskane dhe të Kolegjit Serafik, dmth. seminarit françeskan, Guardian. Definitor, Provincial dhe për dy herë me rradhë Ministër Provincial (1929-1935). Më 27. 01. 1936 u zgjodh ipeshkëv i Sapës (1936-1940). Më 26. 06. 1940 u transferua në selinë arqipeshkvore të Durrësit (1940-1949). Nga 1943 ishte edhe Administrator Apostolik i Administraturës Apostolike të Jugut të Shqipërisë. Primas i Shqipërisë në 1946, ngaqë kishte mbetur e zbrazët selia e Shkodrës, pas vdekjes së Imzot. Gaspër Thaçit.