5 nëntor
I LUMI IMZ. VINÇENC PRENNUSHI DHE 37 SHOKËT MARTIRË
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
që i ke mbushur me Shpirtin tënd të qëndresës
të lumët Vinçenc, ipeshkëv, me shokë, martirë,
për të dhënë dëshmi besnikërie ndaj Krishtit
dhe dashurie të pakushtëzuar ndaj vëllezërve,
bëj që ne, për ndërmjetësi të tyre,
të bashkëpunojmë për ardhjen e mbretërisë së tij.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd
Që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (1Mak 1,41-50; 56-63)
Më parë zgjodhën vdekjen se të ndoten me ushqime të papastra e ta prishin Besëlidhjen e shenjtë.
Lexim prej Librit të Parë të Makabenjve
Në ato ditë mbreti Antiok shkroi një shpallje për mbarë mbretërinë që të gjithë të trajtonin një popull të vetëm e t'i lënë doket e veta. Të gjitha kombet e pranuan urdhrin e mbretit Antiok. Shumë edhe prej izraelitëve pranuan hyjnderimin e tij, u flijuan idhujve dhe e prishën të shtunën. Mbreti dërgoi në Jerusalem e në qytetet e Judesë me anë të të dërguarve të vet letra që t'u përshtaten dokeve të paganëve vendës, të mos kushtojnë fli shkrumbimi, therore, fli kushti në Tempullin e Hyjit, të mos kremtohen më të shtunat e të kremtet, të dhunohet Shenjtërorja e gjithçka është e shenjtë, të ndërtohen lterë, tempuj e idhuj, të flijohen thi e kafshë të papastra, t'i lënë fëmijët pa rrethprerë, të bëhen të papastër me çdo lloj papastërtie e irie, kështu që ta harrojnë Ligjin e t'i ndërrojnë të gjitha doket e shenjtërimit. Kush të mos e dëgjojë fjalën e mbretit Antiok, dënohet me vdekje.
Librat e Ligjit që i gjetën, pasi i shqyenin, i digjnin në zjarr. Nëse te ndokush gjendej ndonjë libër i besëlidhjes ose që e pranonte Ligjin, vritej me urdhrin e mbretit. Pasi fuqinë e kishin në dorë, bënin kështu kundër Izraelit, kundër atyre që i zbulonin muaj për muaj në qytete. Më njëzet e pesë të muajit flijonin mbi lterin që e kishin ndërtuar mbi lterin e flive të shkrumbimit. Gratë që i kishin rrethprerë fëmijët e vet, i vritnin në bazë të shpalljes ‑ ua varnin fëmijët për qafe ‑ i vritnin edhe anëtarët e familjes së tyre si dhe ata që i kishin rrethprerë.
Megjithë këtë, një shumicë në Izrael qenë të guximshëm e qëndroi e fortë e nuk hëngri ushqime të papastra: më parë zgjodhën vdekjen se të ndoten me ushqime të papastra e ta prishin Besëlidhjen e shenjtë: bënin vdekjen!
Fjala e Zotit
Apo ne Kohën e Pashkëve:
Leximi i dytë (Zb 7,9-17)
Ata shpallnin me zë të lartë: “Shpëtimi i përket Hyjit tonë që rri në fron dhe Qengjit!”.
Lexim prej Librit të Zbulesës së Shën Gjonit Apostull
Atëherë pashë: një shumicë të madhe që askush s’mund ta numëronte, prej çdo kombi, çdo fisi, populli dhe gjuhe! Qëndronin në këmbë para fronit dhe para Qengjit, të veshur me petka të bardha e me palma në dorë. Ata shpallnin me zë të lartë: “Shpëtimi i përket Hyjit tonë që rri në fron dhe Qengjit!”. Të gjithë engjëjt që ishin në këmbë rreth fronit, rreth udhëheqësve dhe rreth katër Gjallesave, ranë përmbys dhe adhuruan Hyjin. Thoshin: “Amen! Bekim e lavdi, dije e falënderim, nder, pushtet dhe fuqi Hyjit tonë në shekuj të shekujve! Amen!”
Atëherë njëri nga udhëheqësit mori fjalën dhe më pyeti: “Këta që janë të veshur me petka të bardha, kush janë dhe nga kanë ardhur?” Unë u përgjigja: “Imzot, ti e di!” Dhe ai më tha: “Këta janë ata që erdhën nga prova e madhe; i lanë petkat dhe i pastruan në gjakun e Qengjit.
Prandaj edhe qëndrojnë para fronit të Hyjit dhe i shërbejnë ditë e natë në tempullin e tij, dhe Ai që rri në fron do t’i shtijë nën tendën e vet. Më kurrë s’do të kenë uri, më kurrë s’do të kenë etje, më s’do t’i djegë dielli as rrezet e tij. Sepse Qengji që është në mes të fronit do t’i kullosë dhe do t’i çojë në burimet e ujërave të jetës. Edhe Hyji do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre”.
Fjala e Zotit
Psalmi (Cfr. Ps 65, 1-4; 8-12)
Ref. Qoftë bekuar Hyji në mëshirën e tij.
Mbarë toka le t’i brohorasë Hyjit,
këndoni lavdisë së Emrit të tij,
lartësojeni lavdinë e tij të pamasë!
Thuajini Hyjit: “Sa të mrekullueshme janë veprat e tua!
Pse je tejet i fuqishëm,
armiqtë e tu të përkëdhelin.
Le të të adhurojë mbarë toka e le të të këndojë,
le t’ia thotë këngës për nder të Emrit tënd”!
Bekojeni, o popuj, Hyjin tonë
dhe shpalleni lavdinë e tij!
Ai i dha shpirtit tonë jetën,
këmbët na i ruan nga hapat e gabuar.
Ti vetë, o Hyj, na vure në provë,
porsi argjendin nëpër zjarr na kalove.
Ti vetë na nxorre në leqe,
barrë të rëndë na ngarkove mbi shpinë.
Ti lejove të na hipin në qafë njerëzit,
na përshkove nëpër zjarr e ujë,
por më vonë na dhe pushim.
Aleluja!
Kush qëndron deri në fund
do të shpëtohet, thotë Zoti.
Aleluja!
X Ungjilli (Mt 10, 16-22; 26-33)
E atij që më bie mohit para njerëzve, edhe unë do t’i bie mohit para Atit tim qiellor.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë Jezusi tha: “Ja, unë po ju dërgoj porsi dele mes ujqish! Jini, prandaj të mençur porsi gjarpërinjtë dhe të thjeshtë porsi pëllumbat! Ruajuni prej njerëzve: sepse do t’ju padisin në gjyqe, do t’ju frushkullojnë në sinagogat e tyre. Për shkakun tim do t’ju qesin para sundimtarëve e mbretërve, që të dëshmoni para tyre dhe para paganëve. E kur t’ju dorëzojnë, mos u shqetësoni se çka dhe si do të flisni, sepse në atë moment do t’ju jepet çka duhet të thoni, sepse nuk do të jeni ju që do të flisni, por Shpirti i Atit tuaj do të flasë nëpërmjet jush.
Vëllai vëllanë dhe babai fëmijën do ta dorëzojë në vdekje; edhe fëmijët do të ngriten kundër prindërve të vet dhe do t’i vrasin. Edhe ju do t’ju urrejnë të gjithë për shkak të Emrit tim, porse, kush të qëndrojë deri në fund, ai do të shëlbohet.
“Mos ua kini, pra, frikën! Sepse nuk ka gjë të mbuluar që nuk do të zbulohet, as të fshehtë që s’do të dihet. Çka ju them në errësirë, thuajeni në dritë, e çka dëgjoni të thënë në vesh, predikojeni nga pullazet! Mos i druani ata që vrasin trupin e nuk mund ta vrasin shpirtin. Kini frikë më tepër nga Ai, që mund t’jua humbë në ferr shpirtin edhe trupin. A nuk shiten dy trumcakë për një aspër? E, megjithatë, asnjë prej tyre nuk bie në tokë pa lejen e Atit tuaj. E ju? Madje edhe të gjitha fijet e flokëve të kresë suaj janë të numëruara! Pra, mos druani! Ju vleni më tepër se shumë trumcakë!
Kushdo, pra, pranon para njerëzve se është imi, edhe unë do të pranoj para Atit tim që është në qiell, se jam i tij. E atij që më bie mohit para njerëzve, edhe unë do t’i bie mohit para Atit tim qiellor.”
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Pranoji Atë i mëshirshëm, këto dhurata
që po t’i kushton Kisha
në kujtimin e të Lumëve Vinçenc Ipeshkëv
e Shokët, Martirë:
me flinë e tyre bashko edhe tonën,
e qoftë e pëlqyeshme për ty.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Lutja pas kungimit
Kungimi me korpin e gjakun e Birit tënd
na bëftë o Atë, dëshmitarë besnik të tij
sipas shembullit të Martirëve të Lumë Vinçenc e Shokët,
gjaku i të cilëve u derdh për dashurinë
e së vërtetës së ungjillit
e për lirinë e bijve të tu.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.