Bernardin Palaj

Në pagëzim u quajt Zef. I biri i Gjonit e i Martës Dedja, u lind në Shkodër më 02. 10. 1894. U pagëzua më 02. 10. 1894 dhe u Krezmua më 18. 05. 1902. Nga dioqezi i Shkodrës, tani Shkodër-Pult.

 

I përkiste Urdhrit Françeskan, të Provincës së Zojës Nunciatë në Shqipëri. U pranua në noviciat në Rubik më 15. 09. 1911. Bëri kushtet e përkohshme në Rubik më 01. 11. 1912 dhe kushtet e përjetshme më 14. 07. 1917. 

 

U shugurua meshtar më 02. 08. 1918. U arrestua në Rubik, në Kuvendin në të cilin ishte Gaurdian, dhe u burgos në Shkodër më 22. 10. 1946. Vdiq në burg në Shkodër, për shkak të torturave, përpara se të dënohej, më 02. 12. 1946.

 

Studimet. – Ka ndjekur gjithë shkollën, përfshirë edhe gjimnazin, pranë fretërve në Shkodër, liceun në Salzburg dhe studimet filozofike dhe teologjike në Innsbruck (Austri).

 

Detyrat që ka mbuluar. – Dha mësim të gjuhës shqipe dhe latinisht në Gjimnazin Liceum Illyricum të fretërve në Shkodër. Punoi në famullitë e Toplanës, Palçit, Shalës, Bushkashit, Planit dhe Rubikut.