MESAZHI I ATIT TË SHENJTË PAPA FRANÇESKU PËR KREZHMET 2019
“Vetë krijesa me afsh e pret
zbulimin e bijve të Hyjit”
Të dashur vëllezër e motra,
çdo vit, përmes Kishës Nënë, Zoti “u bën dhuratë besimtarëve të vet të përgatiten me gëzim, të pastruar në shpirt, për kremtimin e Pashkëve, që… të nxjerrin nga misteret e shëlbimit plotësinë e jetës së re në Krishtin” (Parathënie e Krezhmëve 1). Në këtë mënyrë, mund të ecim, nga njëra Pashkë në tjetrën, drejt përmbushjes së atij shpëtimi, që e kemi fituar tashmë, në sajë të misterit të Pashkëve të Krishtit: “Me të vërtetë, në shpresë jemi shëlbuar” (Rom 8,24). Ky mister shëlbimi, tashmë veprues brenda nesh gjatë jetës sonë tokësore, është një proces dinamik, që përfshin edhe historinë e gjithë krijimit. Shën Pali arrin të thotë: “Edhe vetë krijesa me afsh e pret dëftimin e bijve të Hyjit” (Rom 8,19). Në këtë perspektivë, dëshiroj të jap ndonjë sugjerim për reflektim, që ta shoqërojë udhën tonë të kthimit kah Zoti gjatë Krezhmëve të ardhshme.
1. Shëlbimi i gjithësisë
Kremtimi i Treditëshit të Pashkëve, të mundimeve, vdekjes dhe ringjalljes së Krishtit, kulm i vitit liturgjik, na fton çdo herë të përjetojmë një udhë përgatitjeje, të vetëdijshëm se të bëhemi të ngjashëm me Krishtin (shih Rom 8,29) është dhuratë e paçmuar e mëshirës së Zotit.
Nëse njeriu jeton si bir i Hyjit, nëse jeton si njeri i shëlbuar, që e lëshon veten në dorën e Shpirtit Shenjt (shih Rom 8,14) dhe di të njohë e të zbatojë ligjin e Zotit, duke filluar nga ai, që është gdhendur në zemrën e tij e në natyrë, i bën mirë edhe gjithë krijesave, duke bashkëpunuar në shëlbimin e tyre.
Prandaj, – thotë Shën Pali – gjithësia ka dëshirën e flaktë që të dëftohen bijtë e Zotit, domethënë ata që gëzojnë hirin e misterit të Pashkëve të Jezusit, t’i jetojnë plotësisht frytet e tij, të destinuara për t’u pjekur plotësisht në shëlbimin e krejt trupit njerëzor. Kur dashuria e Krishtit e shndërron jetën e shenjtërve – frymën, shpirtin dhe trupin – këta i thurin lavde Hyjit dhe, përmes lutjes, kundrimit, artit, përfshijnë edhe krijesat në këtë lëvdim, siç tregon mrekullisht mirë “Kënga e vëlla diellit” të Shën Françeskut të Asizit (shih Enc. Laudato si’, 87). Por, në këtë botë, harmonia e krijuar nga shëlbimi kërcënohet ende e gjithmonë nga forca negative e mëkatit dhe e vdekjes.
2. Forca shkatërruese e mëkatit
Në të vërtetë, kur nuk jetojmë si bij të Zotit, mbajmë shpesh qëndrime shkatërrimtare ndaj të afërmit dhe krijesave të tjera – por edhe ndaj vetes – duke kujtuar, pak a shumë me vetëdije, se mund t’i përdorim sipas dëshirës. Atëherë, mospërmbajtja fillon e mbizotëron, duke na çuar drejt një mënyre jetese, që cënon kufijtë, të cilat gjendja jonë njerëzore dhe natyra na kërkojnë t’i respektojmë, duke ndjekur kështu, ato dëshira të pakontrolluara që në Librin e Urtisë u atribuohen të pabesëve, pra, atyre që nuk e kanë Zotin si pikë referimi për veprimet e tyre, as kanë shpresë për të ardhmen (shih 2,1-11). Nëse nuk priremi vazhdimisht kah Pashkët, drejt horizontit të Ringjalljes, është e qartë se logjika e ‘dua gjithçka menjëherë’, e ‘të kem gjithnjë e më shumë’ arrin të imponohet.
E dimë se shkaku i çdo të keqeje është mëkati, i cili që nga dukja e tij në mes të njerëzve, e ndërpreu bashkimin me Zotin, me të tjerët dhe me gjithësinë, me të cilën jemi të lidhur, para së gjithash, përmes trupit. Me t’u prishur bashkimi me Hyjin, u keqësuan edhe marrëdhëniet harmonike ndërmjet qenieve njerëzore dhe mjedisit, në të cilin ata duhet të jetojnë, kështu që kopshti u shndërrua në shkretëtirë (Zan 3,17-18). Është fjala për atë mëkat, që e bën njeriun ta mbajë veten për zotin e gjithësisë, të ndiehet pronar absolut i saj dhe ta përdorë jo për qëllimin e dëshiruar nga Krijuesi, por për interesin e tij, në dëm të krijesave dhe të të tjerëve.
Kur braktiset ligji i Zotit, ligji i dashurisë, përfundojmë në afirmimin e ligjit të më të fortit mbi më të dobtin. Mëkati, që banon në zemrën e njeriut (shih Mk 7,20-23) – e shfaqet si lakmi, lakmi për një mirëqenie të tepruar, mosinteresim për të mirën e të tjerëve e shpesh, edhe të vetvetes – çon në shfrytëzimin e gjithësisë, të njerëzve dhe të ambientit, sipas asaj gobësie të pangopur, që e konsideron çdo dëshirë si të drejtë dhe, herët a vonë, do t’i shkatërrojë ata që dominohen prej saj.
3. Forca shëruese e pendesës dhe e faljes
Për këtë arsye, krijimi ka nevojë urgjente që të dalin në pah bijtë e Zotit, ata që janë bërë “krijesa të reja”: “Nëse ndokush është në Krishtin, është krijesë e re: e vjetra u zhduk, dhe, ja, u bë e reja!”(2 Kor 5,17). Më të vërtetë, me dëftimin e tyre, edhe vetë gjithësia mund të “festojë Pashkët”: t’u hapet qiejve të rinj dhe tokës së re (shih Vap 21,1). Udha drejt Pashkëve na fton pikërisht për ta restauruar fytyrën dhe zemrën tonë prej të krishteri, përmes pendimit, kthimit kah Zoti dhe faljes, në mënyrë që ta jetojmë gjithë pasurinë e hirit të misterit të Pashkëve.
Ky “padurim”, kjo pritje e gjithësisë do të përmbushet kur të dëftohen bijtë e Zotit, pra, kur të krishterët dhe të gjithë njerëzit të hyjnë vendosmërisht në këtë “mund”, që është kthimi kah Hyji. Krejt gjithësia është e thirrur, së bashku me ne, të dalë “nga skllavëria e korrupsionit për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Zotit” (Rom 8,21). Krezhmët janë shenjë sakramentore e këtij kthimi. Ato i ftojnë të krishterët ta mishërojnë më thellë dhe më konkretisht misterin e Pashkëve në jetën e tyre personale, familjare dhe shoqërore, veçanërisht, përmes agjërimit, lutjes dhe lëmoshës.
Të agjërojmë, pra, të mësojmë si ta ndryshojmë qëndrimin tonë ndaj të tjerëve dhe ndaj krijesave: nga tundimi që të “përpijmë” gjithçka për të ngopur lakminë tonë, në aftësinë e vuajtjes për dashurinë, e cila mund të na e mbushë boshllëkun e zemrës. Të lutemi që të dimë të heqim dorë nga idhujtaria dhe nga vetë-mjaftueshmëria, duke pohuar se kemi nevojë për Zotin dhe mëshirën e Tij. Të japim lëmoshë për t’u larguar nga marrëzia e jetës dhe e grumbullimit të gjithçkaje vetëm për vete, me iluzionin se po sigurojmë një të ardhme, që nuk na përket. E kështu, të rizbulojmë gëzimin e planit të Zotit për gjithë krijesat e për zemrën tonë, ta duam Atë, vëllezërit dhe gjithë botën dhe të gjejmë lumturinë e vërtetë në këtë dashuri.
Të dashur vëllezër e motra, “Krezhmët” e Birit të Zotit kanë qenë hyrje në shkretëtirën e gjithësisë për ta kthyer sërish në atë kopsht të bashkimit me Hyjin, që ishte para mëkatit të rrjedhshëm (shih Mk 1,12-13; Is 51,3). Krezhmët tona të jenë ripërshkim i së njëjtës rrugë, për ta çuar shpresën e Krishtit tek çdo krijesë, e cila “do të lirohet nga skllavëria e korrupsionit për të marrë pjesë në lirinë e lavdisë së bijve të Hyjit” (Rom 8,21). Mos e lemë të shkojë kot kjo kohë e favorshme! T’i lutemi Zotit të na ndihmojë të bëjmë një udhëtim kthimi të vërtetë. Të heqim dorë nga egoizmi, nga vështrimi i ngulur mbi vetveten dhe të kthehemi kah Pashkët e Jezusit; të bëhemi të afërt me vëllezërit dhe motrat në vështirësi, duke ndarë me ta të mirat shpirtërore dhe materiale. Kështu, duke e pranuar konkretisht në jetën tonë fitoren e Krishtit mbi mëkatin dhe mbi vdekjen, do ta tërheqim edhe mbi gjithësinë forcën e Tij shndërruese.
Papa Françesku