“Këto dhe gjëra të tjera që do t’i pëlqejnë Zotit.”
(Rregulla e pavulosur, XVI, 8)
Letra e Ministrit gjeneral të Urdhrit të Vëllezërve Minorë
për 800 vjetorin e takimit mes Shën Françeskut
dhe Sulltanit el-Malik al-Kamilit
Vëllezërit e mi të dashur të Urdhrit të Vëllezërve Minorë,
të gjithë vëllezërit, motrat dhe miqtë e Familjes sonë françeskane,
dhe të gjithë vëllezërit e motrat e mia, myslimanë,
Zoti ju dhëntë të gjithëve paqen e vet!
Tetëqind vjet më parë, Ati ynë Serafik, shën Françesku, lundronte për në Egjipt, duke përmbushur më në fund ëndrrën të gjatë për të shkuar tek myslimanët. Ai arriti në kampin e ushtrisë së kryqëzatave, midis të krishterëve latinë, të cilët gjatë viteve të predikimit dhe retorikës së luftës së shenjtë ishin mësuar të përbuznin myslimanët. Edhe vetë myslimanët kishin çdo arsye për ta përbuzur Françeskun, duke supozuar se ai, si shumica në kampin e kryqëzatave, ishte armik dhe jo bartës i paqes. Ne sot festojmë atë ngjarje, që në atë moment, askush nuk mund ta parashikonte: që një njeri, plot me Shpirtin Shenjt, pa kurrfarë prone, të kalonte vijat e fushës së betejës i paarmatosur, për të kërkuar një takim me Sulltanin, u prit me dashamirësi nga Sulltani, dhe gëzoi për një periudhë të gjatë mikpritjen me udhëheqësin mysliman, dhe nga vizita u kthye për të reflektuar sërish mbi misionin e Vëllezërve të Minorë. Françesku u kthye shëndosh e mirë në atdheun e vet, thellësisht i prekur nga takimi, dhe krijoi një vizion të ri dhe krijues për vëllezërit e vet: se si duhet të shkojnë midis myslimanëve, dhe çka duhet të thonë dhe të bëjnë fretërit “që do t’i pëlqejë Hyjit” (RrPv 16,18). Përvjetori i takimit të Françeskut me al-Malik al-Kāmil në Damietta në vitin 1219 na bën të pyesim sërish veten se cilat vepra dhe fjalë, mes pluralizmit dhe kompleksitetit të botës së sotme, do t’i pëlqenin Hyjit.
Duke dalluar shenjat e kohrave (Mt 16,3), Kisha gjithnjë e më tepër e thekson dialogun ndërfetar si element thelbësor të misionit të Kishës sot. Koncili i II i Vatikanit u kërkoi besimtarëve të krishterë që të angazhohen në “dialogun dhe bashkëpunimin me ndjekësit e feve të tjera, në mënyrë që me kujdes dhe dashuri dhe gjithmonë duke dëshmuar fenë dhe jetën e krishterë” (Nostra aetate, 2). Në veçanti, Koncili mësoi Kishën të shikonte myslimanët “me nderim” dhe u kërkoi të krishterëve të punonin me vëllezërit dhe motrat myslimanë për të promovuar drejtësinë shoqërore dhe mirëqenien morale, paqen dhe lirinë për të mirën e të gjithëve (Nostra aetate, 3). Shën Gjon Pali II vazhdoi këtë mision të dialogut në shërbesën e vet të ipeshkvit të Romës, veçanërisht kur ai ftoi udhëheqësit fetarë të botës në shtëpinë tonë shpirtërore, Asizi, për t’u dëshmuar cilësinë transcendentë të paqes. Ata që u mblodhën për t’u lutur për paqe, “mësimi i përhershëm i Asizit” përbëhej nga “butësia, përvujtëria, ndjenja e thellë e Zotit dhe angazhimi i shën Françeskut për t’u shërbyer të gjithëve” (Gjon Pali II, Fjalimi në Asizi, 27 tetor 1986). Papët Benedikti XVI dhe Françesku gjithashtu i ftuan udhëheqësit fetarë që të bënin një shtegtim në Asizi për t’u lutur për paqen, dhe Papa Françesku thirri ndërmjetësimin e Varfanjakut në udhëtimin e tij në Egjipt, duke iu lutur të krishterëve dhe myslimanëve që të thërrasin njëri-tjetrin vëllezër dhe motra, dhe të jetojnë në vëllazërinë e përtërirë, nën diellin e të vetmit Hyj të mëshirshëm (Papa Françesku, Fjalimi në Konferencën ndërkombëtare të paqes, 28 prill 2017). Prandaj, ky është apeli i Kishës universale për familjen françeskane, për të nxitur këtë vëllazëri ndërfetare me frymën paqësore të Atit tonë Serafik. Kisha na fton të ripërtërijmë këtë moment përcaktues të historisë sonë, udhëtimin e Shën Françeskut në Egjipt, që sërish të hapim mendjen për shndërrimin që e përjetoi Shenjti i Asizit dhe bashkë me myslimanët e popujt e feve të tjera, të ecim si bashkudhëtarë, si ndërtues të qytetërimit, e në një formë edhe më të thellë, si motra e vëllezër, bij të Abrahamit, atit tonë në fe.
Po e nxis Familjen Françeskane që këtë përvjetor, ta festojë si një moment ku drita e Ungjillit mund të hapë zemrën e secilit dhe të njohë përngjasimin e Hyjit, tek njerëzit që njëri-tjetrin e shikojnë me frikë dhe mosbesim, apo edhe më keq, tek ata që kanë tendencën të urrejnë. Për këtë qëllim janë përgatitur burime të panumërta për të ndihmuar të gjithë ata që frymëzohen për ta përkujtuar këtë Jubile siç duhet. Bashkangjitur kësaj letre ka disa lutje. I ftoj fretërit që t’i përdorin gjatë Liturgjisë së Orëve, gjatë gjithë vitit përkujtimor. Ato mund të përdoren në mënyrë të përshtatshme në fusha të ndryshme pastorale. Në prill Kuria e Përgjithshme do të nxjerrë në dispozicion “on-line” një broshurë të përgatitur nga Komisioni Special për Dialogun me Islamin, e cila ofron një kornizë historike, perspektivat françeskane dhe myslimane për takimin, si dhe materiale të tjera për të përkujtuar Damiettën. Vëllazëria jonë e Stambollit, një bashkësi fretërish që kryesisht i kushtohen dialogut ekumenik dhe ndërfetar, në tetor do t’ia ofrojë mikpritjen një kongresi fretërish që punojnë në vendet me shumicë myslimane. Po ashtu edhe universiteti Papnor Antonianum ka organizuar ngjarje të ndryshme publike në vende të ndryshme gjatë këtij viti jubilar. Ju ftoj, ju akademikë dhe ju që merreni me punë pastorale, që të merrni pjesë në këto dhe aktivitete të tjera, e për më tepër, të merrni në konsideratë në mënyrë krijuese mënyrën se si bashkësia juaj lokale mund të përkujtojë Damiettën në dritën e realitetit lokal.
Ky përvjetor ofron një mundësi unike për bashkëpunim mes degëve të ndryshme të familjes françeskane. Shumë fretër, motra, studiues të lëvizjes françeskane dhe nxitësit e dialogut myslimano-të krishterë kanë përgatitur botime që do të publikohen gjatë këtij përvjetori. Ju ftoj të gjithëve që të merrni pak kohë për të studiuar dhe reflektuar sesi, në situatën tuaj lokale, mund të rijetoni guximin dhe hapjen ndaj Shpirtit që Shën Françesku e përjetoi në Deltën e Nilit shumë kohë më parë. Kuria Gjenerale dëshiron të ndajë lajmin për përpjekje të tilla për të ndërtuar ura të vlerësimit ndërfetar, prandaj me mirësi ju kërkoj të na informoni për ngjarjet dhe iniciativat që kanë për qëllim përkujtimin e Damiettës në bashkësinë tuaj dhe në entitetet e ndryshme të Vëllezërve Minorë.
Jetojmë në një kohë kur njerëzit e profesioneve të ndryshme punojnë për demonizimin e myslimanëve dhe nxisin të tjerët që të frikësohen. Përveç studimit dhe lutjes mbi temat e takimit dhe të dialogut, ndjekësit e Shën Françeskut, që nuk kanë një kontakt personal me islamin, i nxis që të kujtojnë përvojën e Themeluesit tonë për të bërë një hap të thjeshtë dhe konkret: të takimit me një mysliman. Mundohuni që ta njihni atë, duke e tejkaluar kënaqësinë e përbashkët të shoqërimit, duke pirë çaj. Mundohuni të mësoni dhe të vlerësoni se çfarë është përvoja e Zotit që është tek ai ose ajo, dhe lejoni që miku juaj mysliman të shikojë dashurinë që Zoti e ka vënë në zemrën tuaj nëpërmjet Krishtit. Pa marrë para sysh mësimin e Koncilit të II të Vatikanit, i cili thotë se myslimanët, së bashku me ne, “adhurojnë një Të vetmin e të mëshirshmin Hyj” (Lumen Gentium 16), shumë zëra në njëfarë mënyre këmbëngulin që dialogu mes të krishterëve e myslimanëve është i pamundshëm. Shumë bashkëkohës të Shën Françeskut dhe të Sulltanit ranë dakord të konsideronin konfliktin dhe luftën si përgjigjen e vetme ndaj sfidës mes tyre.
Shembujt e Françeskut dhe Sulltanit dëshmojnë për një alternativë tjetër. Nuk mund të themi më se dialogu me myslimanët është i pamundshëm. Ne e kemi parë atë dhe vazhdojmë ta shohim atë në jetën e shumë françeskanëve dhe vëllezërve dhe motrave myslimanë, të cilët me zemër të sinqertë dhe të dashur ndajnë dhuratat që Zoti ua ka dhënë nëpërmjet besimeve të tyre përkatëse. Besnikëria ndaj vizionit të shën Françeskut kërkon, që ta pranojmë atë me përulësi. Në fakt, dhurata e krishterë, të cilën në veçanti duhet ta ndajmë me vëllezërit dhe motrat tona myslimane, nuk është thjesht ajo e të krishterit të përulur, por përvoja e një Hyji të përulur. I vetmi në kohën e vet, shën Françesku iu lut Hyjit duke thënë: “Ti je përvujtëri” (Lavde Hyjit 4), ai foli për “përvujtërinë sublime”, për madhërinë e përvuajtur të Hyjit (Letra Urdhrit 27). Kërkimi i Hyjit, për zemrën e krishterë gjen prehje në përvujtërinë e grazhdit dhe të kryqit, shenjat e një Zoti që u përul në shërbëtor dhe e përvujtëroi veten për dashurinë tonë. Shën Françesku na fton që ta rrezatojmë përvujtërinë hyjnore para atyre që i takojmë, duke bërë hapin e parë në shërbim dhe dashuri. Megjithatë, besnikëria ndaj vizionit të shën Françeskut na fton të mirëpresim besimin dhe besimtarët e traditave e feve të tjera me ndjenjën e respektit (Kushtetutat e Përgjithshme OFM, neni 93,2: 95,2) me mendje dhe zemër të hapur ndaj pranisë së Zotit në këto takime.
Unë e di se ka anëtarë të familjes françeskane, që jetojnë si pakicë në vendet e tyre të lindjes ose të qëndrimit, dhe janë të përfshirë në grindje politike dhe sektare, në mes të kërcënimeve e dhunës, siç ndodh sot edhe në vendin që shën Françesku dikur e vizitoi. Në disa vende, të krishterët dhe myslimanët i ndajnë vuajtjet e padrejtësive shoqërore dhe paqëndrueshmërisë politike. Ju ftoj të reflektoni në një tjetër prej lutjeve, që shën Françesku e përdori në lavdet e Zotit të tejetlartë: “Ti je durim” (Lavde Hyjit 4), ose si myslimanët i luten Zotit: “Yā Ṣabūr” – “O i durueshëm”. Vetë shën Françesku e mësoi virtytin e durimit në shërbimin e tij mes të gërbulurve, në sfidat e udhëtimeve të tij dhe në tendencat që pa në Urdhër në fund të jetës së tij, kur vëllezërit e tij braktisën disa nga idealet, të cilat për të ishin shumë të shtrenjtë. Françesku, meditoi për një kohë të gjatë për dashurinë e durueshme të Krishtit, që manifestohej në mundimin e tij, duke ardhur përfundimisht për të identifikuar durimin si një atribut të Hyjit të mëshirshëm. “Ti je durim”. Zoti ndjek një model të panjohur për ne, dhe Zoti dridh zemrat e grave dhe të burrave përmes rrugëve të panjohura për ne. Françesku mundohej për të kuptuar planin e Zotit për të ata që nuk e ndoqën Krishtin si Zot, dhe Françesku, gjeti strehim në lutjen e lavdërimit të Zotit që është durim. Secilit prej nesh Zoti ia dhashtë hirin e durimit, me qëllim që të mësojmë të jetojmë bashkë.
Motrave dhe vëllezërve tanë myslimanë, më lejoni të them se sa ngrohtësisht ne françeskanët e kujtojmë mikpritjen e treguar për atin tonë të shenjtë, Françeskun, kur jeta e tij ishte në rrezik. Interesi që shumë myslimanë kanë treguar në përkujtimin e këtij përvjetori, dëshmon për dëshirën për paqe të shprehur sa herë, që një mysliman përshëndet një shok besimtar. Shpresoj që ky vit do të na ndihmojë të thellojmë vëllazërinë që bashkëndajmë në Zotin që krijoi të gjitha gjërat në qiell dhe në tokë, dhe që kjo lidhje të vazhdojë të forcohet për një kohë të gjatë, edhe pas vitit 2019. Zoti mund t’i krijonte të gjithë njësoj, por nuk bëri ashtu (Al-Shura 42.8). Me ju, motrat dhe vëllezërit tuaj françeskanë dëshirojnë t’i tregojnë botës se të krishterët dhe myslimanët mund të jetojnë krah për krah me njëri-tjetrin në paqe dhe harmoni.
Në përfundim, nuk e harrojmë kurrë se shembulli i Shën Françeskut ishte një jetë në kthim të vazhdueshëm. Që kur ishte i ri, ai ndjente neveri për të gërbulurit, por një veprim i mëshirshëm ia ndryshoi zemrën dhe “ajo që i dukej e hidhur, u kthye në ëmbëlsi” (Test 3). Në atë moment, kur filloi jeta e pendesës së shën Françeskut, është e lidhur ngushtë me përvojën e tij në Damietta, në vitin 1219. Zemra e tij ishte hapur për herë të parë për të gërbulurit, por kur ai e gjeti veten në praninë e një myslimani, për të cilin ai kishte mësuar ta urrente, zemra iu hap sërish. Thirrja biblike ndaj kthimit (hebraisht: shuv, arameisht: tuv), jehon në urdhrin e përsëritur të Kur’anit për t’u kthyer kah Zoti (tūb), për ta kthyer të keqen me mirësinë dhe me vepra të dashurisë, në një shoqëri shumë të brishtë. Besimtarët sot – duke respektuar mënyrat e ndryshme, me të cilat ata i luten Zotit dhe e nderojnë – janë të thirrur në të njëjtin guxim dhe hapje të ndërsjellë të zemrës. Mes rënkimeve të botës për mirëkuptim ndërfetar, dashtë Hyji ynë i përulur, i durueshëm dhe i mëshirshëm, t’i tregojë secilit prej nesh gjërat dhe fjalët që Zoti do më shumë.
Romë, 7 janar 2019
Paqe e të mira!
Fr. Michael A. Perry OFM
Ministri gjeneral dhe Shërbëtor
Prot. 108704