O Zot i gjithëpushteshëm e i amshuar, që nëpër Shëna Ndoun e Padovës i dhe popullit tënd predikatarin zëmadh të Ungjllit e Pajtorin e të varfërve dhe të të munduarve, na e jep edhe ne, nëpër ndërmjetësimin e tij, hirin t’i ndjekim mësimet e jetës së krishterë e të mos na mungojë, në çaste të vështira, ndihma e shpejtë e mëshirës sate. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.
LUTJA E SHENJTIT SHNA NDUE NDËR TË MARTE
O i lumi Shenjti Shna Ndue, gjithë bota e dëshmon madhërinë tënde. Të mëdhenj e të vegjël, pleq e të rinj, të pasur e të varfër, të gjithë kallëxojnë hiret e shumta e të mrekullueshme që kanë nxjerrë prej Zotit nëpër lutjet e tua. Ne sot po vijmë te ti, dhe me gjithë forcën e zemrës sonë, në përvujtëri të shenjtë po të lutemi: dëgjoje lutjen tonë, ne që jemi të trishtuar nga problemet dhe nevojat e shumta.
Po të lutemi dhe ti besojmë:
- familjet tona që të mbizotërojë dashuria e Krishtit,
- ndihmoji dhe bekoi fëmijët këtu të pranishëm,
- ruaji fëmijët kudo që janë prej çdo rreziku dhe sëmundje,
- ndihmoji të rinjtë që ta gjejnë Krishtin në jetën e tyre,
- mbroji familjarët e të afërmit tanë që gjenden jashtë shtetit,
- shëroi të sëmurët dhe ata që vuajnë,
- forco pleqtë, ndihmoi të braktisurit dhe të përbuzurit,
- qëndro afër atyre që janë të vetëm,
- ruaji ata që udhëtojnë,
- ndihmoji nevojtarët dhe të varfërit,
- ndihmoji ata që kanë nevojë për punë, shtëpi, bukë për një jetë më të mirë,
- jepu të gjithëve shëndet fizik dhe forcë shpirtërore,
- na ndihmo t’i gjejmë sendet e humbura,
- jepu paqen të gjithë njerëzëve,
- ndihmo që të shpallet biri yt Jezusi, Fjala e bërë njeri,
- forco në fenë e Krishtit ata që dyshojnë,
- qëndro afër atyre që janë pranë vdekjes,
- lutu për shpirtërat e të vdekurve tanë.
Lutu për ne, o i mrekullueshmi shenjti Shna Ndue!
- Të bahemi të denjë për premtimet e Jezu Krishtit.
Të lutemi.
O fort i dashuri Shenjti Shna Ndue, që e ke në Padovë varrin e bekuar; shikoji me dashamirësi nevojat tona; dëgjoji lutjet, foli Zotit për ne, me gjuhën tënde të mrekullueshme, që as vdekja nuk mundi ta kalbë e ta prishë. Foli me të Zotit, që lutjet tona të pranohen e dëshirat tona të plotësohen. Amen.